Lämna sidan!

Shqip

Mirë se vini!

Ky është portali i 60 qendrave për fuqizim të femrave të reja në Suedi. Këtu mund të bëni pyetje, të kontaktoni me një qendër për fuqizim ose të lexoni mbi gjithçka, nga anoreksia deri te masturbimi në Udhëzuesin për Vajza (Tjejguide).

Fatkeqësisht nuk janë të përkthyera të gjitha informacionet e kësaj faqe në gjuhën shqipe, dhe nuk mund t'ju premtojmë se në qendrën për fuqizim që do të kontaktoni mund të gjendet dikush që flet shqipen. Por, megjithatë, jeni e mirëseardhur që të kontaktoni me një qendër për fuqizim e femrave të reja, dhe ne do t'ju ofrojmë tërë ndihmën që mund t'ju japim.

Çka është qendra për fuqizim të vajzave të reja?

Qendra për fuqizim të femrave të reja është një shoqatë që ka për qëllim përforcimin e pozitës së femrave të reja. Femrat që punojnë në qendrat për fuqizim punojnë falas dhe ofrojnë mbështetje me ndihmën e bisedave, nëpërmjet emailit dhe duke biseduar me ju me telefon. Qendrat për fuqizimin e femrave të reja shpeshherë janë të vogla me pak vend për një kompjuter, një telefon e ndoshta edhe një divan dhe disa kolltukë.

Disa qendra për fuqizim të femrave të reja organizojnë gjithashtu kampe verore, grupe për diskutim dhe seminare nëpër shkolla.

Çdo person që e konsideron veten femër të re mund të vijë në një qendër për fuqizim të femrave të reja për të shprehur mendime dhe ide - qofshin të mëdha apo të vogla. Këtu të gjithë kanë detyrimin e ruajtjes së sekretit profesional dhe ju mund të mbeteni plotësisht anonime.

Shumë nga femrat e reja që kontaktojnë me qendrat për fuqizim ndjehen të brengosura për arsye të ndryshme. Kurse të tjerave ndoshta u nevojitet dikush për të biseduar se si u ka vajtur dita në shkollë, ose mund të jenë kureshtare për diçka që ka lidhje me seksin apo trupin e tyre.

Ne që punojmë në qendrat për fuqizimin e femrave të reja nuk jemi eksperte apo këshilltare profesionale, por ju dëgjojmë dhe ju mbështesim aq sa kemi mundësi. Mundemi gjithashtu t'ju japim ndonjë ide apo t'ju udhëzojmë te ndonjë vend tjetër i dobishëm - ose të vijmë me ju po qe se doni të bëni një kallëzim në polici.

Për çka shërben kjo faqe?

Kjo faqe ka për qëllim t'u shërbejë të gjithë atyre që konsiderohen femra të reja dhe janë në moshën 12 deri 20 vjeçare. Ka gjithashtu për qëllim t'u shërbejë anëtarëve të familjes së femrave të reja dhe çdokujt që interesohet për lëvizjen e qendrave për fuqizim të femrave të reja.

Tjejjouren.se është një mënyrë për t'u drejtuar të gjitha femrave të reja që kanë nevojë për një qendër për fuqizim të femrave të reja. Këtu përfshihen edhe femrat e reja që jetojnë nëpër komuna që ende nuk kanë qendër për fuqizim. Ne e dimë se ka nevojë për këtë faqe nga të dhënat statistikore ku shihet se një numër i madh femrash të reja gjenden në situatë të vështirë.

A doni të inkuadroheni?

Shpeshherë na vjen më lehtë që t'i shprehim ndjenjat, të parashtrojmë pyetje apo të shkëmbejmë mendime në gjuhën tonë. Për këtë arsye na nevojiten më tepër femra për të punuar në qendrat tona për fuqizim të cilat flasin shqip. Kontaktoni me qendrën më të afërt për fuqizim të femrave të reja për të marrë pjesë.